18 Maj 2018

Publikohet “Strategjia për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje 2018-2022”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pas prezantimit të Strategjisë “Për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje 2018-2022”, për t’i shërbyer transparencës dhe komunikimit të vazhdueshëm me grupet e interesit dhe qytetarët, po e publikon atë për konsultim të gjerë publik.

Në fjalën e mbajtur në konferencën e prezantimit të Strategjisë, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi theksoi ndër të tjera se “jam besimplotë se së bashku do të arrijmë ta zbatojmë këtë strategji me sukses dhe në fund të çdo viti do të bëjmë bilancin, si dhe nëse është e nevojshme përshtatjen e strategjisë me dinamikën dhe zhvillimin e tregjeve përgjatë një viti. Ne jemi shumë të hapur dhe do e vlerësonim çdo sugjerim tuajin, çdo vërejtje tani e më vonë për ta përmirësuar e për të pasur një strategji konkrete, realiste e të zbatueshme.”

Autoriteti i fton grupet e interesit, profesionistët e fushës dhe qytetarët të japin mendimet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me Strategjinë. Ata mund ta bëjnë këtë duke kontaktuar përmes adresës zyrtare të e-mailit të institucionit, [email protected], ose edhe duke na shkruar në adresën tonë në Facebook https://www.facebook.com/AlbaniaAMF/.

Strategjinë “Për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje 2018-2002, e gjeni këtu.