24 Maj 2018

AMF zhvillon konferencën kombëtare për edukimin financiar

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi sot, më 24 maj 2018, Konferencën Kombëtare “Edukimi Financiar” me fokus kryesor studentët, të cilët shpalosën punime të ndryshme në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje dhe rëndësinë e edukimit financiar për zhvillimin e tyre.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, u ndal te rëndësia e edukimit financiar në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe investitorëve,  në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve financiare jobankare.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së u shpreh se “Konferenca që ne po zhvillojmë sot, është fillimi i një dialogu të përbashkët me stafet akademike, ekspertë të tregjeve financiare jobankare dhe organizma që veprojnë në treg për të përcjellë ide të reja në përballimin e sfidave me të cilat ndeshen tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së. Ky dialog i hapur sot do të na ndihmojë të kemi një pasqyrë më të saktë të tendencave dhe përvojave më të mira në zhvillimin e tregjeve financiare jobankare. Dua të theksoj këtu se në bashkëpunim me ekspertë e specialistë të fushave, AMF hartoi një Strategji 5-vjeçare zhvillimi, me synimin për t’i kthyer tregjet tona të brishta, në tregjet me ecurinë më pozitive dhe si tregu financiar jobankar më i konsoliduar në Ballkanin Perëndimor”.
  
Kryetari i Bordit të AMF-së, Z. Pajtim Melani tha se edukimi financiar është investimi më i sigurtë për një rritje ekonomike afatgjatë. Ai ftoi kompanitë financiare të investojnë më shumë në promovimin e edukimit financiar.
Konferenca u përshëndet edhe nga Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Znj. Zamira Gjini, e cila theksoi se për Ministrinë e Arsimit edukimi për sipërmarrjen është ndër drejtimet e rëndësishme të punës së tyre. Ajo theksoi se në bashkëpunim me AMF-në “ne sot po vendosim disa prioritete të reja për të lidhur edukimin e sipërmarrjes dhe zhvillimin e karrierës për studentët me tregun e punës”.   

Temat kryesore të trajtuara përgjatë konferencës ishin:

  • Sfidat për edukim financiar cilësor në arsimin parauniversitar;
  • Dixhitalizimi në tregun e sigurimeve;
  • Fondet e investimit në Shqipëri dhe krahasimi me fondet e investimit në botë;
  • Bursa dhe faktorët që ndikojnë në funksion të saj;
  • Arbitri mbi mosmarrëveshjet financiare: një model i ri për mbrojtjen e investitorëve;
  • Vlerësimi i edukimit dhe sjelljes financiare në vendimmarrjen financiare;
  • Zhvillimi i fondeve të pensioneve private vullnetare, etj.
 
Në përfundim të konferencës, Autoriteti dhe shoqatat e tregjeve nën mbikëqyrje, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve Private dhe Fondeve të Investimit, si dhe Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri shpërndanë çmime të ndryshme për punimet më të mira.  

Çmimet lidheshin me kontrata punësimi në shoqëritë që veprojnë në tregjet nën mbikëqyrje, mundësinë e intershipeve apo dhurimin e pajisjeve dixhitale për studentët.  AMF synon që kjo konferencë me studentët të shndërrohet në një aktivitet të përvitshëm duke i shërbyer edukimit financiar dhe përfshirjes më të madhe të të rinjve në tregjet nën mbikëqyrje.