25 Maj 2018

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson progresin e bërë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në përfundim të Monitorimit të Parë të kryer pas Përfundimit të Programit me Shqipërinë, ka vlerësuar ecurinë e ekonomisë shqiptare. Raporti nënvizon se ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet, duke shënuar një rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.8% gjatë vitit 2017.

Në analizën e tregjeve financiare jobankare, raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerëson pozitivisht punën e bërë nga AMF dhe thekson se “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë një progres rrënjësor lidhur me përmirësimin dhe adoptimin e kuadrit të ri rregullativ në lidhje me mbikëqyrjen e tregut të kapitaleve dhe fondeve, duke përmendur hartimin e rregulloreve të reja mbi administrimin e likuiditetit të fondeve të investimeve, transaksionet me palët e lidhura, etj.

Autoriteti është i angazhuar për plotësimin e gjithë rekomandimeve të lëna nga Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me:
 

  • Kuadrin rregullator për menaxhimin e krizave për fondet e investimeve, që aktualisht në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë është drejt përfundimit;
  • Krijimin e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe rregullator për instrumentet e reja, për bursën e sapo licencuar, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Për të lexuar raportin e plotë të Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ju lutem klikoni në linkun http://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2018/05/21/Albania-2018-First-Post-Program-Monitoring-Discussions-Press-Release-and-Staff-Report-45888