7 Qershor 2018

AMF, marrëveshje bashkëpunimi me UET për edukimin financiar dhe formimin e studentëve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot, më datë 7 qershor 2018, një takim me përfaqësues të Universitetit Europian të Tiranës (UET), i cili u pasua nga nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi.

Të pranishëm në takim ishin Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, Nëndrejtoresha Ekzekutive Znj. Mimoza Kaçi dhe drejtues të tjerë të Autoritetit, ndërsa UET përfaqësohej nga Z. Adrian Civici, President i UET,  Selami Xhepa,  Dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Ermela Kripa, Shefe e Departamentit të Financës.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se bashkëpunimi me UET do t’i shërbejë një prej prioriteteve të Autoritetit për edukimin financiar të publikut e në veçanti të studentëve, si edhe rritjes së aftësimit të tyre profesional. Z. Koçi deklaroi se Autoriteti është shumë i angazhuar në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së besimit në tregjet nën mbikëqyrje. 

Ndërsa Presidenti i UET, Z. Adrian Civici theksoi se marrëveshja e bashkëpunimit pritet të realizojë një nga objektivat e vendosur që studentët të mos kenë vetëm një diplomë formale, por që t’i përgjigjen më së miri kërkesave të tregut të punës. Z. Civici deklaroi se UET po i përshtat programet e studimit, duke i orientuar studentët drejt profileve të specializuara, që janë ndër të tjera edhe për tregjet financiare jobankare - tregun e sigurimeve apo tregun e kapitalit.

UET ka ndërtuar Projektin “250+”, i cili krijon një lidhje të programeve të studimit, sidomos atyre të ciklit të dytë të studimit me nevojat që ka tregu i punës dhe institucionet.

Në vitin e ri akademik, ekspertët e AMF-së dhe profesionistët nga fusha të ndryshme të tregjeve finaciare jobankare do të zhvillojnë leksione të hapura në UET, ndërkohë që studentët do të kenë mundësinë e realizimit të internshipeve pranë Autoritetit.
AMF dhe UET do ta thellojnë bashkëpunimin edhe përmes organizimit të konferencave shkencore, apo aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe edukuese për studentët.

AMF ka lidhur marrëveshje të ngjashme me universitete të tjera në zbatim të strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit për tregjet nën mbikëqyrje, duke zhvilluar aktivitete dhe konferenca të ndryshme.