11 Qershor 2018

AMF organizon takimin e 15-të të Iniciativës së Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore për Mbikëqyrjen e Sigurimeve


Takimi i 15-të i Iniciativës për Mbikëqyrjen e Sigurimeve të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, (CESEE) do të zhvillohet ditën e martë, më 12 qershor 2018, në Tiranë, nën organizimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve rregullatore dhe mbikëqyrëse nga vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, të cilët do të diskutojnë për zhvillimin e tregut të sigurimeve dhe sfidat me të cilat përballen mbikëqyrësit.
Paneli i diskutimeve është i ndarë në katër sesione, dy nga të cilat do të moderohen nga drejtues të drejtorive në AMF. Sesionet tematike përfshijnë diskutime për:
 

  • Kriteret dhe sfidat në zbatimin e standardeve të përshtatshmërisë (fit and proper) për anëtarët e bordit, mbajtësit e posteve kyçe dhe aksionarët;
  • Si të reduktohet përqendrimi i sigurimeve të detyrueshme motorike në tregun e sigurimeve, për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore;
  • Menaxhimi i cilësisë dhe aktivitetet kontrolluese mbi kanalet e shpërndarjes në kompanitë e sigurimeve në kuadër të direktivës së re për kanalet e shpërndarjes në sigurime (Insurance Distribution Directive, IDD);
  • Sistemi i vlerësimit të riskut për qëllime rregullatore.       
 
Takimi do t’i shërbejë diskutimeve mbi sfidat dhe përvojat më të mira të rregullatorëve në drejtim të vënies në zbatim të regjimeve të reja mbikëqyrëse dhe sfidave me të cilat përballet tregu i sigurimeve në rajon.