8 Tetor 2018

Java Botërore e Investitorëve 2018 - Edukimi dhe mbrojtja e investitorëve në krye të axhendës së IOSCO-s dhe AMF-së si anëtare e saj

Të dielën, në 7 tetor anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO) mbyllën javën e dytë botërore të investitorëve (WIW), por iniciativat e tyre për edukimin dhe mbrojtjen e investitorëve do të vazhdojnë të shtrihen edhe përtej kësaj jave globale të ndërgjegjësimit.

Gjatë periudhës 1-7 tetor, rregullatorët e letrave me vlerë, bursat, organizatat ndërkombëtare, investitorët, shoqatat, entitetet arsimore dhe aktorë të tjerë, u bashkuan për të nxitur edukimin e investitorëve dhe mbrojtjen e tyre, që nga qendrat kryesore financiare në botë deri në skajet më të largëta të globit. Përgjatë kësaj jave, pjesëmarrës nga rreth 90 vende organizuan një sërë aktivitetesh të fokusuara tek investimet për të përcjellë rëndësinë e investimeve të mençura, veçanërisht në mjedisin e sotëm online dhe kohën dixhitale.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u përfshi në Javën Botërore të Investitorëve, përmes disa aktiviteteve të zhvilluara me përfaqësuesit e tregjeve, grupet e tjera të interesit, si edhe studentët.   

Në zbatim të “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet nën mbikëqyrje”, AMF ka vijuar punën për rritjen e edukimit dhe ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me investimet në tregjet e kapitalit. Në këtë kuadër, janë zhvilluar sesione informuese me studentët, të cilët kanë vazhduar gjithashtu praktikat e tyre mësimore pranë Autoritetit.   

AMF ka vijuar trajnimet e edukimit në vazhdimësi me profesionistët e fushës, me qëllim rritjen e njohurive për tregjet e kapitalit, si edhe është përfshirë në një proces rishikimi të legjislacionit dhe rregulloreve për t’i përafruar me standardet më të mira ndërkombëtare.  

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është anëtar me të drejta të plota në IOSCO që prej vitit 1998.

Për më shumë informacione, klikoni në faqen e dedikuar: www.worldinvestorweek.org