16 Tetor 2018

Paralajmërim mbi riskun e investimit në instrumentin “Kontratë për Diferencë” (CFD)

Në kuadrin e mbrojtjes së investitorit dhe edukimit financiar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tërheq vëmendjen në lidhje me investimin në instrumentin “Kontratë për Diferencë” (CFD) për shkak të rrezikut që mbart ky lloj produkti.

Instrumentet financiarë CFD ofrohen kryesisht nëpërmjet platformave online. Për këtë arsye, shitja e tyre ka qenë në fokus të Rregullatorëve, veçanërisht  të Autoritetit Evropian të Tregjeve dhe Letrave me Vlerë (ESMA), i cili vazhdimisht ka paralajmëruar investitorët për rrezikshmërinë që paraqesin, si edhe ka vendosur disa kufizime në lidhje me marketingun shpërndarjen dhe shitjen e kontratave për diferencë, si dhe ndalimin e opsioneve binare.  Bordi i Mbikëqyrësve të ESMA-s, në takimin e datës 26 shtator 2018, vendosi të rinovojë këto kufizime edhe për një afat tjetër 3 mujor.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëron investitorët shqiptarë që përpara se të investojnë në këto lloj produktesh të kontrollojnë më parë nëse ofruesit e këtyre produkteve janë të autorizuar dhe licencuar për të ofruar këto shërbime nga rregullatorët e vendeve përkatëse. AMF këshillon të kontrollohet herë pas here rubrika “Kini Kujdes” në faqen zyrtare të AMF-së.

Për të lexuar informacionin e plotë klikoni në linkun http://amf.gov.al/kujdes.asp