13 Nentor 2018

AMF, pranë studentëve të Universitetit Politeknik të Tiranës për rritjen e edukimit financiar

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi ditën e martë, më datë 13 nëntor 2018, ora 10:30, një leksion të hapur me studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike të Universitetit Politeknik të Tiranës. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”, me qëllim kryesor rritjen e edukimit financiar të studentëve.

Aktivitetit i parapriu nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Andrea Maliqari. Në fjalën e mbajtur në takim, Z. Koçi theksoi se edukimi financiar është shndërruar në një nga prioritetet e punës së Autoritetit. AMF po vijon fushatat informuese, duke zhvilluar takime në disa universitete të vendit. Në funksionin e saj mbikëqyrës dhe rregullator, AMF ka në thelb të vendimmarrjes së saj mbrojtjen e konsumatorit dhe investitorit.

Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Z. Maliqari u deklarua besimplotë se marrëveshja e nënshkruar mes dy institucioneve do të jetë me përfitim reciprok. Ajo do t’i shërbejë studentëve të universitetit, duke i asistuar me materiale të ndryshme burimore, apo duke i krijuar mundësinë e intershipeve pranë Autoritetit. Në anën tjetër, do të jetë një bazë e mirë për thellimin e bashkëpunimit me qëllim zgjerimin e njohurive financiare të studentëve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës.

Në orën e hapur të leksionit, studentët u njohën me rolin dhe funksionet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si një institucion i pavarur. AMF synon rregullimin e tregjeve nën mbikëqyrje, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e konsumatorëve dhe investitorëve. Gjithashtu studentë u anketuan nga Autoriteti për matjen e njohurive financiare për tregjet nën mbikëqyrje.