7 Dhjetor 2018

AMF me studentët e “Tirana Business University” për rritjen e edukimit financiar

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot, më datë 7 dhjetor 2018, ora 10:00, një takim informues me studentë të Kolegjit Universitar “Tirana Business University”. Aktiviteti u zhvillua në vazhdën e fushatës informuese të nisur nga AMF për rritjen e edukimit financiar të studentëve, pjesë e “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”.

Aktivitetit i parapriu nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Kolegjit Universitar “Tirana Business University” nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe Rektori, Prof. Dr. Lavdosh Zaho.

Në fjalën e mbajtur në takim, Z. Koçi u shpreh se AMF e cilëson si një nga prioritetet kryesore rritjen e edukimit financiar, me fokus të rinjtë. Në njërën anë, kjo shërben për përgatitjen më të mirë të studentëve dhe rritjen e  mundësive të punësimit në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Në anën tjetër, i bën të rinjtë konsumatorë apo investitorë më të ndërgjegjshëm dhe më të mbrojtur në të ardhmen. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se marrëveshja u mundëson studentëve ndjekjen e praktikave mësimore, apo intershipeve pranë Autoritetit.

Rektori i Kolegjit Universitar “Tirana Business University”, Z. Zaho u deklarua besimplotë se marrëveshja e nënshkruar mes dy institucioneve do të jetë me përfitim reciprok. Sipas tij ajo do të jetë një bazë e mirë për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve për rritjen e edukimit financiar dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës.  

Në orën e hapur të leksionit, studentët u njohën me rolin dhe funksionet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si një institucion i pavarur.