11 Dhjetor 2018

AMF bashkëpunon me projektin e Swisscontact “Aftësi për Punë” për edukimin financiar në shkollat e mesme profesionale

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nënshkruar sot, më 11 dhjetor 2018, një marrëveshje bashkëpunimi me projektin e Swisscontact “Aftësi për Punë, S4J”. Në vazhdim të zbatimit të “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”, AMF zgjeron  grupet e interesit në fushatën e nisur për rritjen e edukimit financiar.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, Z. Ervin Koçi dhe nga Z. Fation Dragoshi, Menaxher i projektit “Aftësi për Punë, S4J”, me praninë e Z. Henry Leerentveld, Drejtor Rajonal i Swisscontact për Evropën Lindore. Në bazë të marrëveshjes, Autoriteti do të zhvillojë takime informuese me nxënës të shkollave të mesme profesionale, pjesë e projektit, me profil ekonomi-biznes, në disa qytete të vendit.

Nga ana tjetër, nxënësit e shkollave mund të kryejnë praktika mësimore në kuadër të profilit të tyre të studimit pranë AMF, ashtu si edhe intershipe të ndryshme, ku do të asistohen nga punonjës të Autoritetit. Nga ky bashkëpunim përfitojnë direkt 5 shkolla profesionale, Shkolla Teknike Ekonomike në Tiranë, Shkolla Tregtare në Vlorë, Shkolla “Hamdi Bushati” në Shkodër, “Kolin Gjoka” në Lezhë dhe “Kristo Isak” në Berat.