17 Dhjetor 2018

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së takohet me përfaqësues të lartë të MONEYVAL

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi zhvilloi më 17 dhjetor 2018 një takim me kryetarin e Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit pranë Këshillit të Evropës (MONEYVAL), Z. Daniel Thelesklaf.  

Në takim u diskutua mbi rezultatet e raportit të vlerësimit të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe progresi i bërë nga AMF në zbatim të rekomandimeve të lëna nga grupi i ekspertëve. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Ervin Koçi bëri një pasqyrë të planit të punës së Autoritetit për plotësimin tërësor të rekomandimeve. 

Përfaqësuesit e lartë të MONEYVAL vlerësuan progresin e bërë, që jep sinjale pozitive për sektorin financiar, megjithëse tregu financiar jobankar nën mbikëqyrjen e Autoritetit është treg i vogël. AMF në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), Bankën e Shqipërisë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese vijon me zbatimin e rekomandimeve të lëna. Përfaqësuesit e MONEYVAL vlerësuan si një faktor mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin midis këtyre institucioneve në Shqipëri.