28 Dhjetor 2018

INVESTITORË KUJDES: Ndaj aktivitetit të shoqërisë me emrin Fortrade

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) paralajmëron investitorët për rrezikun ndaj shërbimeve të shoqërisë që operon me emrin Fortrade nëpërmjet adresës së internetit https://www.fortrade.com.

Mbështetur në Ligjin nr. 9879, datë 21.2.2008 “Për Titujt” dhe Vendimin nr. 55 datë 30.03.2011 “Për njohjen e veprimtarisë së agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë”, një shoqëri brokerimi e huaj lejohet të ofrojë shërbimet e saj në vendin tonë, përmes një “agjenti” të themeluar si shoqëri brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pas miratimit nga AMF.


Shoqëria Fortrade, e cila ofron për tregun shqiptar instrumente financiare nuk është e licencuar nga Autoriteti për të ofruar shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë.

Për këtë arsye, Autoriteti i bën thirrje investitorëve të bëjnë shumë kujdes përpara se të marrin një vendim në lidhje me pranimin e një oferte të kryer nëpërmjet telefonatave ose mjeteve të tjera të komunikimit për t’i nxitur ata të regjistrohen ose hapin llogari në platformën online të shoqërisë Fortrade, nëpërmjet faqes së saj të internetit https://www.fortrade.com. Çdo komunikim nëpërmjet telefonit, email-it, apo mjeteve të tjera, që përfaqëson një ftesë ose marketing për të investuar në platformën online me emrin Fortrade, është i jashtëligjshëm.

Publiku duhet të jetë i qartë se Autoriteti nuk monitoron ligjshmërinë e aktivitetit të shoqërisë Fortrade dhe nuk mund të mbrojë interesat e të gjithë atyre, që investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara, siç është edhe platforma me emrin Fortrade.
Autoriteti është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e tjera ligjzbatuese për të ndaluar aktivitetin e shoqërive të palicencuara.   

Lista e shoqërive të licencuara nga AMF për ofrimin e shërbimeve për  investime gjendet në faqen zyrtare të AMF-së në Rubrikën Regjistri i të Licencuarëve/Tregu i Titujve.

Nëse subjekte të palicencuara nga AMF ju kontaktojnë për t’ju ofruar produkte dhe/ose shërbime financiare, ju lutem të na kontaktoni në [email protected] apo në numrin e telefonit + 355 (0) 4 2257560 ose në numrin e gjelbër 0800 6969.