11 Mars 2019

Autoriteti fton dhënien e opinioneve mbi ndryshimet në Rregulloren “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar disa ndryshime të cilat përmirësojnë tabelën aktuale të Rregullores nr. 53, datë 25.06.2009 “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Për të eliminuar interpretimet e ndryshme lidhur me procedurat e trajtimit të dëmeve, që mbrohen nga kontratat e sigurimit për kategorizimin sipas klasave për persona të cilët humbin aftësinë për të punuar ka punuar një grup mjekesh me kryesues Prof. Dr. Sokrat Meksi, profesor i mjekësisë ligjore. Grupi i punës ka bërë përcaktimin saktë të nënkategorive të përqindjeve të humbjes të aftësisë për punë, duke përcaktuar në mënyrë të saktë çdo dëmtim. Kjo do të çojë në shmangien e abuzime dhe mbrojtjen e të dëmtuarve në aksidente pasi tani do të ketë çdo grup dhe nëngrup apo klasë dëmtimi të përcaktuar qartazi sa duhet të jetë përqindja e humbjes të aftësisë për punë.

Gjithashtu është përcaktuar formula e përllogaritjes së përqindjes kur kemi më shumë se një dëmtim sipas praktikave më të mira të Bashkimit Evropian si dhe parimet mbi të cilat udhëhiqen mjekët në përllogaritjen e shkallës së dëmtimit në aksidentet rrugore.

Tabela e plotë Shkalla  E  Humbjes së Aftësisë së Përhershme në Punë”, është  e mbështetur në “European physical and mental disability rating scale for medical purposes” të Bashkimit Evropian  si dhe të  tabelave analoge të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kroaci, Kosovë, Mali  i Zi, Maqedoni), me qëllim saktësimin e klasave dhe kategorive përfituese. Përcaktimi i koeficientit të paaftësisë, është bazuar në rregullën e Baltazarit (La regle de Balthazar) metodë kjo që përdoret në shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

Materialin e plotë e gjeni në linkun këtu

Ky material publikohet me qëllim marrjen e opinioneve apo sugjerimeve nga ekspertë të fushës, shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve dhe publiku. Jeni të lutur të dërgoni opinionet tuaja pranë AMF-së në adresën [email protected] deri në datë 31 mars 2019