23 Korrik 2009

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrisë Austriake të Financave e Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë në fushën e mbikëqyrjes së sigurimeve

Në datën 22 Korrik, 2009, në ambientet e Hotel Rogner EuropaPark, u zhvillua  Ceremonia e Nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrisë Austriake të Financave e Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë në fushën e mbikëqyrjes së sigurimeve.

Nënshkrimi i marrëveshjes së mirëkuptimit është shprehje e bashkëpunimit institucional në mbikëqyrjen e përbashkët dhe shkëmbimin e informacionit midis rregullatorëve financiarë të të dy vendeve. Ky bashkëpunim ka nisur menjëherë  pas investimeve të grupeve Austriake të sigurimeve Vienna Insurance Group dhe Uniqa Group Austria në Shqipëri dhe është konkretizuar me takime të ndërsjellta, shkëmbim përvoje dhe asistencë teknike në realizimin e projekteve të rëndësishme të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. 

Në fjalën e saj, Zj. Elisabeta Gjoni, Kryetare e AMF-së vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes në lehtësimin dhe efektivitetin e mbikëqyrjes së sigurimeve në të dy vendet. Z. Peter Braumüller,  përfaqësues i lartë i Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë, njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve mbajti një prezantim mbi rëndësinë e vlerësimit të riskut në tregjet e liberalizuara të sigurimeve.

Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues nga autoritetet rregullatore të të dy vendeve,  të Ambasadës së Austrisë në Tiranë, të tregut të sigurimeve, të Shoqatës së Siguruesve, etj.

Për të lexuar të plotë prezantimin e Z. Peter Braumüller, klikoni këtu