24 Korrik 2009

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Qershor 2009

Në periudhën Janar- Qershor 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 362,450 duke shënuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 4,062 milionë lekë, shifër kjo 27% më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 48 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm  zënë 52 % të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2009 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 52 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në Janar - Qershor të vitit 2009 janë rreth 1,417 milionë lekë ose 4% më shumë se periudha Janar- Qershor 2008 ndërsa numri i kontratave ka pësuar një ulje prej 1% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.
  • Në periudhen Janar- Qershor 2009, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 597 milionë lekë, ose 27% më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2008, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 1 % krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
  • Të ardhurat e Sigurimit Kufitar, gjatë kësaj periudhe 6-mujore të vitit 2009 shënuan një rritje me 24% krahasuar me periudhën Janar- Qershor 2008 dhe numri i kontrave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 12% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi Vullnetar

Në periudhen Janar-Qershor 2009,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,945 milionë lekë me një rritje prej 50% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë, dhe me rreth 66% rritje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 55% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,082 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 43% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 36% dhe më pas vjen  sigurimi i garancive  me 11%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 17 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 39% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në Janar-Qershor të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë vazhdojnë të ruajnë dinamikën më të lartë të rritjes. Rritja e këtij portofoli me rreth 93% krahasuar me Janar-Qershor të vitit 2008, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje me rreth 96% në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave një rritje me 86%  krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinjerike.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën Janar- Qershor të vitit 2009 arritën në rreth 207 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 66% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 75% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit lidhet si me rritjen e të ardhurave të sigurimit të shëndetit në udhëtim dhe me rritjen e të ardhurave të shëndetit privat.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 340 milionë lekë me një rritje prej 31% krahasuar me Janar- Qershor të vitit  2008.

Peshën më të madhe prej rreth 67% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në Janar- Qershor të vitit 2009 ishte rreth 788 milionë lekë, ose 23 % më shumë se në Janar- Qershor të vitit 2008.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 700 milionë lekë, apo 89% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për Kasko dhe Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2008

2009

Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

95

94

Karton Jeshil

666

703

Kasko

86

95

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar- Qershor 2009 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - qershor 2009 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - qershor 2009 (në versionin PDF) klikoni këtu