18 Shtator 2009

Takim i Kryetares së AMF-së me përfaqësuesit e lartë të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës

Kryetarja e AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni, në datë 18 shtator 2009,  priti një delegacion të nivelit të lartë të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës (AQBK), kryesuar nga Z. Hashim Rexhepi, Guvernator.

Takimi u zhvillua në kuadrin e pjesëmarrjes në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë: “Politika të stabilitetit monetar dhe financiar – leksione nga kriza” . Për këtë arsye, një vend të veçantë në takim zuri dhe tema e përballimit të pasojave të krizës financiare nëpërmjet njohjes së mirë të shkaqeve që çuan në lindjen e saj dhe në krijimin e rrjeteve efiçente të shkëmbimit të informacionit për zgjidhjen e problemeve.

Gjatë takimit, u vu theksi në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit të dy institucioneve, bashkëpunim, i cili ka qenë i pandërprerë dhe shumë efektiv në zbatimin e marrëveshjeve lidhur më parë në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes të sektorëve financiare jo-bankarë midis dy institucioneve. Një vend të rëndësishëm zunë dhe temat e vazhdimit të aplikimit të asistencës së ndërsjellë për përsosjen e zhvillimit të tregjeve financiare jo-bankare, përmirësimit të kuadrit ligjor në bursë, zhvillimit të tregut të letrave me vlerë, kryerjes së inspektimeve të përbashkëta, etj.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve theksuan  forcimin e frymës së bashkëpunimit nëpërmjet takimeve në vazhdim.