15 Tetor 2009

E ardhmja e kuadrit rregullator financiar, roli i rregulloreve dhe enteve rregullatore të tregut

Komiteti Teknik i Organizatës Ndërkombëtare të Letrave me Vlerë, zhvilloi në Bazel, Zvicër, Konferencën e 5-të, ku ndër të tjera u vu theksi në:  rregullimin e efektshëm të tregjeve, i cili është jetik për qëndrueshmërinë financiare botërore; nevojën e identifikimit dhe kuptimit në kohë të rreziqeve, të lindura rishtazi në tregje dhe trajtimit të këtyre rreziqeve; kërkesën e një vullneti të fortë politik për t’i vënë në zbatim në nivel vendi, idetë botërore.
Në daljen nga kriza, i rëndësishëm është rregullimi i efektshëm i institucioneve të rëndësishme. Për qëndrueshmërinë e sistemit kanë rëndësi institucionet dhe tregjet. Konfliktet e interesit, huadhënia dorëlëshuar, përdorimi i tepruar i borxheve, vlerësimet e gabuara, ndarja e borxhit në letra me vlerë të mbivlerësuara, zërat e mbajtur jashtë bilancit, kompensimi ekstravagant, të gjitha kanë ndodhur në fushën e rregullimit apo mos rregullimit të tregut.

Puna kërkimore dhe identifikimi i rreziqeve të reja kanë rëndësi për sistemin. Ndërkohë që, zbutja e rrezikut të sistemit është parë në të shkuarën si njëri prej tre objektivave të rregullimit të letrave me vlerë, krahas nxitjes së tregjeve të efektshme dhe të drejtat e mbrojtjes së investitorëve.
Kriza financiare e ka përqendruar gjithë vëmendjen te rëndësia e trajtimit të rrezikut të sistemit dhe te roli i rëndësishëm që mund të luajnë tregjet dhe organet rregullatore të tregjeve në trajtimin e kësaj çështjeje. Parimi i ri IOSCO-s, do të përqendrohet te nevoja që entet rregullatore të tregjeve t’i identifikojnë, vlerësojnë dhe zbusin rreziqet brenda kufijve të tanishëm të rregullimit, madje edhe përtej tyre. Ky parim do të mbulojë edhe ato njësi ekonomike të rregulluara nga entet rregullatore të tregjeve, dështimi i të cilëve mund të ketë rrjedhoja në sistem për të gjithë ekonominë.

Ashtu sikurse origjina e krizës qëndron në hipotezat e gabuara për fuqinë vetë rregulluese të tregjeve, po ashtu kjo origjinë qëndron edhe në mungesën e vullnetit politik për të rregulluar sjelljen e tregjeve. Tani ka ardhur koha që udhëheqësit e G20-ës dhe të tjerët të tregojnë vullnetin e nevojshëm politik për të siguruar që standardet ndërkombëtare për tregjet e letrave me vlerë, të vendosur nga IOSCO, të vihen në zbatim në çdo vend të botës. Jo vetëm që duhen vënë në zbatim, por këto standarde duhet të kontrollohen ose të vlerësohen lidhur me respektimin e tyre e këto vlerësime duhet të publikohen.
 
Nocioni i fuqishëm i një ideje ndërkombëtare të vënë në zbatim në nivel kombëtar është çelësi për të ardhmen. Një botë e lidhur në rrjet, me standarde ndërkombëtare të fuqishëm të vënë në zbatim, do të ketë shumë rëndësi për t’u ruajtur nga kriza e radhës. Kapitali botëror kërkon rregullim dhe kontroll zbatimi botëror, e tani është ngritur infrastruktura kritike që të mundësojë këtë.

Si përfundim, tregjet kanë rëndësi për qëndrueshmërinë e sistemit. Është e nevojshme të kuptohet më mirë sjellja e tregjeve dhe rreziqet e lindura rishtazi, të cilat mund të kenë rrjedhoja për sistemin dhe gjithashtu është po aq i nevojshëm vullneti politik i fuqishëm për të vënë në zbatim dhe për të kontrolluar standardet në mbarë botën, në mënyrë që të sigurohet një rrjet tregjesh, të rregulluara në mënyrë të efektshme. Vetëm atëherë do të mund të arrihet objektivi, lidhur me një kuadër të ri financiar global për një rritje të fuqishme, të qëndrueshme dhe të ekuilibruar.

Material i përpunuar, nxjerrë nga Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), tetor 2009.

Për të lexuar materialin e plotë në gjuhën angleze, klikoni këtu