26 Tetor 2009

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Shtator 2009

9-mujori i vitit 2009 rezultoi i suksesshëm për sektorin e sigurimeve në Shqipëri, duke rritur ndjeshëm ritmet e zhvillimit të shoqërive të sigurimit dhe tregut në tërësi. Të ardhurat nga primet e sigurimit arritën rreth 6,169 milionë lekë, ose 14.35% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në periudhën janar-shtator 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 585,154 duke shënuar një rritje prej rreth 15.18 %, krahasuar me periudhën janar-shtator 2008.  Rritja e primeve ka qenë në harmoni me rritjen e numrit të kontratave të sigurimit, çfarë përforcon qëndrueshmërinë e tendencës së zhvillimit të tregut. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91.37% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8.63%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.54% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.46% të totalit të tregut.

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 3,298 milionë lekë, ose rreth 9.98 % më shumë se në të njëjtën periudhë te vitit të kaluar. Rritje të dukshme patën produktet Karton jeshil dhe  Sigurimi Kufitar, përkatësisht me rritje 28.69% dhe 23.69%, krahasuar me në të njëjtën periudhë të vitit 2008, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 3.28% për Kartonin jeshil dhe 7.82% për Kufitaren, krahasuar me periudhën janar-shtator 2008.

Ndërsa produkti TPL e brendshme paraqiti stabilitet, me një rritje prej rreth  1.79% dhe me  vlerë rreth 2,075 milionë lekë, ndërsa numri i kontratave ka pësuar një rritje prej 5.54 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sigurimi Vullnetar  

Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që në 9-mujor të vitit 2009 sollën 46.54 % të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 2,871 milionë lekë, ose 19.81 % më shumë se në  9-mujorin e vitit 2008 dhe me rreth 26.55 % rritje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të jo-jetës gjatë kësaj periudhe patën rritje me rreth 16.06 % kundrejt periudhës janar-shtator 2008.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,573 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 41.79% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 28.31% dhe më pas vjen sigurimi i garancive me 12.61%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 10.41% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 34.98 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në periudhën janar-shtator të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë kanë pësuar një ulje me rreth 36.72 % krahasuar me periudhën janar-shtatorin e vitit 2008. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një ulje prej 51.91% në volumin e primeve të shkruara dhe një rritje me 61.28%  në numrin e kontratave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar-shtator të vitit 2009 arritën në rreth 297 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 33.05% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 76.71 % të të ardhurave të këtij grupi.


Pjesëmarrja e investitorëve të huaj seriozë me përvojë të gjatë në sigurime, po nxit pasurimin me produkte të mirëfillta të jetës dhe shëndetit, të panjohura deri tani në treg.


Primet nga sigurimet e jetës në 9-mujorin e vitit 2009 arritën 532 milionë lekë, ose rreth 39.64% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Peshën më të madhe prej rreth 64.11 % në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori".

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve u rritën me rreth 11.55 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1,056 milionë lekë, apo   87.09% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Miratimi i ligjit të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit në fillim të këtij viti dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pritet të ndikojë në shkurtimin e afateve dhe rritjen në tërësi të cilësisë së dëmshpërblimit kundrejt të dëmtuarve.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për sigurimin Kasko dhe sigurimin Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

                                                                                                                                             në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2008

2009

                                                                            Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

                      94

               100

Karton Jeshil

                    826

               656

Kasko

                      87

               80


Duke ndjekur në vijimësi gjendjen e tregut Shqiptar të sigurimeve, AMF vlerëson se ky treg nuk ka pasur ndikime të ndjeshme nga situata e tregjeve financiare ndërkombëtare, me të cilën po përballen një pjesë e vendeve Evropiane. Kjo edhe për shkakun se kemi të bëjmë me një treg në zhvillim që ka qenë larg produkteve të komplikuara afatgjata dhe skemave të investimit në instrumente financiarë, që sot gjenden në vështirësi.  Monitorimet dhe analizat e kryera nga AMF, tregojnë një treg të fortë financiarisht dhe me kapacitet për të mirëpritur rritje edhe më të madhe nga ajo që pasqyrohet në shifrat e  9-mujorit.

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar -Shtator 2009, përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - shtator 2009 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - shtator 2009 (në versionin PDF) klikoni këtu