28 Tetor 2009

Mbikëqyrësit ndërkombëtarë të sigurimeve mbështetin deklaratën e Grupit G-20 përmes miratimit të udhëzimit për përdorimin e kolegjeve mbikëqyrëse

Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (SHNMS) ka miratuar një material mbikëqyrës, i cili jep orientim për përdorimin e kolegjeve të mbikëqyrjes në rastet e mbikëqyrjes së grupeve. Ky përbën një hap të ndjeshëm për të fuqizuar më tej efektivitetin e mbikëqyrjes së grupeve të sigurimeve me aktivitet ndërkombëtar.

Materiali ofron 13 karakteristika kryesore për kolegjet e efektshme të mbikëqyrjes, ku përfshihet edhe orientimi për marrëdhënien e jashtme midis një mbikëqyrësi të gjithë grupit dhe një kolegji mbikëqyrës, gamën e funksioneve që mund të kryejë një kolegj dhe argumentet praktike që duhen mbajtur parasysh në strukturën operative të një kolegji mbikëqyrjeje.

Sipas Peter Braumüller, Kryetar i SHNMS “Kriza financiare ka treguar rëndësinë e arritjes së mbikëqyrjes së shëndoshë të grupeve të sigurimeve, sidomos të atyre grupeve që janë aktive në arenën ndërkombëtare. Për këtë qëllim, miratimi në kohë i materialit orientues përbën një pjesë të konsiderueshme të kundërpërgjigjes së SHNMS ndaj krizës financiare botërore dhe do të jetë një instrument shtesë për mbikëqyrësit e sigurimeve në mbarë botën, në fushën e bashkëpunimit përmes mekanizmit të kolegjit të mbikëqyrjes”.

Materiali orientues mbështet Deklaratën e Udhëheqësve të Grupit G-20, e muajit nëntor 2008, në të cilën u bëhej thirrje mbikëqyrësve të bashkëpunonin për të krijuar kolegjet e mbikëqyrjes për të gjitha institucionet financiare ndërkufitare, përfshirë edhe shoqëritë e sigurimeve, për të fuqizuar më tej mbikëqyrjen e grupeve ndërkufitare të sigurimeve. SHNMS do ta përdorë këtë material orientues si bazë për të ofruar perspektiva të tjera shtesë lidhur me sigurimet për Këshillin e Qëndrueshmërisë Financiare, në fushën e përgatitjes së protokolleve globale për kolegjet e mbikëqyrjes për sektorin financiar, në përgjithësi.

Material i nxjerrë nga Shoqata Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Sigurimeve (IAIS), tetor 2009

Për të lexuar materialin e plotë në gjuhën angleze, klikoni këtu