11 Nentor 2009

Zhvillimi i aktivitetit dy ditor mbi “Prezantimin e sistemit të ri të raportimit elektronik të mbikëqyrjes, AMF In-Reg” dhe “Liberalizimi i MTPL, mundësitë dhe sfidat” në datat 17-18 nëntor 2009

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në datat 17-18 nëntor, në ambientet e hotel "Rogner Europapark", do të zhvillojë një aktivitet dy ditor për dy projekte të rëndësishme: “Prezantimi i sistemit të ri të raportimit elektronik të mbikëqyrjes, AMF In-Reg” dhe  “Liberalizimi i MTPL, mundësitë dhe sfidat”, të cilat priten të lançohen së shpejti në tregun e sigurimeve.

Gjatë ditës së parë, 17 nëntor, do të prezantohet sistemi AMF In-Reg, një platformë web-based raportimi,  që ka për synim përsosjen e infrastrukturës së raportimit të shoqërive të sigurimit dhe shoqërive administruese të fondeve të pensioneve, si dhe ka realizuar përputhshmërinë me standardet SNRF, të cilat janë në fuqi në Shqipëri që nga fundi i vitit 2008. Gjatë takimit do të ketë një shpjegim të përmbajtjes së projektit, ecurisë së tij, si dhe një demonstrim të funksionimit të platformës elektronike të raportimit.  
 
Gjatë ditës së dytë, 18 nëntor, do zhvillohen diskutime për trajtimin e strategjisë drejt liberalizimit të MTPL, që AMF është duke ndërtuar në përputhje me direktivat evropiane, do të prezantohet dhe një libër i botuar nga Banka Botërore, i cili sjell eksperienca interesante për sigurimin MTPL në vendet në zhvillim. Theksi në këtë takim do të vendoset në prezantimin e politikave dhe strategjisë së liberalizimit të tarifave për sigurimin MTPL.

Të ftuar në këto aktivitete do të jenë: Drejtorët e Përgjithshëm të Shoqërive të Sigurimit,  Brokerimit, Instituteve Private të Pensioneve Suplementare, Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, Bankës së Shqipërisë, Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, etj. 


Bashkëlidhur njoftimit do te gjeni axhendën e dy aktiviteteve të AMF.