18 Nentor 2009

U zhvillua aktiviteti “Liberalizimi i MTPL, mundësitë dhe sfidat”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, zhvilloi më datë 18 nëntor 2009, në ambientet e hotel “Rogner Europapark”  aktivitetin me temë  “Liberalizimi i MTPL, mundësitë dhe sfidat”.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetarja e AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni, ku midis të tjerave prezantoi situatën aktuale në Shqipëri, si dhe  strategjinë dhe politikat e AMF drejt liberalizimit MTPL, në përputhje me direktivat evropiane.

Nisur nga pesha dhe rëndësia që MTPL ka në tregun shqiptar, sikurse dhe në shumë vende në zhvillim, rruga drejt liberalizimit të tarifave kalon nëpërmjet një sërë sfidash, kapërcimi i të cilave kërkon midis të tjerave një komunikim efikas midis Rregullatorit dhe tregut.

Në  vijim, ekspertja e Bankës Botërore, Zj. Serap Gonulal, prezantoi midis të tjerave dhe një punim të Bankës Botërore, i cili sjell eksperienca interesante për sigurimin MTPL në vendet në zhvillim e Z. Sergio Desantis, aktuar në sigurimin e jo-jetës, prezantoi situatën e MTPL në juridiksione të ndryshme, në parantezë me mundësitë dhe sfidat që karakterizojnë vendet e zhvilluara.

Qëllimi i këtij takimi ishte komunikimi me tregun e sigurimeve për të diskutuar dhe analizuar skenarët e mundshëm që duhet të shoqërojnë një proces të drejtë.

Komunikimi me tregun do të ndihmojë në ndjekjen e praktikave më të mira, që duhet të shoqërojnë procesin e liberalizimit, midis të tjerave: afatet kohore, reagimet e aktorëve të tregut si dhe  parashikimi i efekteve të mundshme tek tarifat dhe për rrjedhojë në aftësinë paguese.

Temat e trajtuara u ndoqën  me mjaft interes e pati diskutime nga Drejtorët e Përgjithshëm të Shoqërive të Sigurimit dhe drejtues të tyre në sektorët e financës, aktuaristikës, etj., Drejtues të Shoqërive të Brokerimit, Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, etj.


Për të lexuar prezantimin e mbajtur nga Kryetarja e AMF-së, zj. Elisabeta Gjoni, klikoni këtu.

Për të lexuar prezantimin e mbajtur nga Zj. Serap Gonulal, eksperte e BB , klikoni këtu.

Për të lexuar prezantimet e mbajtura nga Z. Sergio Desantis, aktuar klikoni këtu.