20 Nentor 2009

U zhvillua takimi mbi Ligjin e ri “Për obligacionet e shoqërive aksionare dhe qeverisë vendore”

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim  me Autoritetin  e Mbikëqyrjes Financiare, zhvilloi më datë 20 nëntor 2009, në ambientet e hotel “Rogner Europapark” aktivitetin  lidhur me Ligjin e ri “Për obligacionet e shoqërive aksionare dhe qeverisë vendore”.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetarja e AMF-së, zj. Elisabeta Gjoni, e cila bëri një prezantim lidhur me domosdoshmërinë drejt hartimit dhe risitë që do sjell ky ligj në fushën e zhvillimit të tregut të titujve. Qëllimi i hartimit të Ligjit të ri “Për obligacionet e shoqërive aksionare dhe qeverisë vendore”, është përmirësimi i bazës ligjore, zhvillimi i tregut të kapitaleve, në kuadër të ndryshimeve që pësoi legjislacioni Shqiptar në lidhje me ligjin publik financiar dhe tregtar, veçanërisht në lidhje me ligjet e reja të aprovuara Ligji “Për Titujt” dhe Ligji “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”.

Në vijim u bënë prezantime nga, Drejtori i Përgjithshëm i BERZH-it, z. Daniel Berg i cili theksoi se: “Miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm, por ne duhet të punojmë për zbatimin e tij. Përfaqësuesit kryesorë në tregun e kapitaleve duhet të kryejnë hapat e tyre në mënyrë që ta kthejnë këtë ligj në një mjet të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë.”. Më tej, Konsulenti z. Dimitris Tsibanoulis, bëri një prezantim të plotë të ligjit e zj. Argyro Leoutsea, z. Theodhor Latsas vazhduan me prezantimet e tyre. z. Joan Canaj, përfaqësues pranë Raiffeisen Bank diskutoi në lidhje me situatën e aktuale në tregun shqiptar të obligacioneve.

Struktura e ligjit aktual është në gjendje të lejojë me lehtësi modernizimin e mundshëm, duke përfshirë dispozita për tipe të reja të huave të obligacioneve, sipas tendencave ndërkombëtare dhe kërkesave të tregut vendor. Ky ligj do të mundësojë krijimin e një tregu obligacionesh në vendin tonë, treg i cili është i nevojshëm për t’u dhënë mundësi shoqërive aksionare dhe njësive të qeverisjes vendore që të rrisin  nivelin e huasë, në kushtet kur sektori bankar nuk ka mundësi të mbështesë më tej me kredi bankare. Funksionimi i këtij tregu do të ndikojë në zgjerimin e tregjeve financiare që veprojnë në vendin tonë, si dhe rritjen e kapitalit dhe të investimeve në ekonomi.

Në këtë aktivitet morrën pjesë  përfaqësues nga ambasadat e huaja në vend, ministritë e linjës, Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë, Dhoma e Tregtisë, biznese të mëdha në vend, etj. Temat e trajtuara u ndoqën me interes e në fund të takimit pati mjaft diskutime.