24 Dhjetor 2009

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Nëntor 2009

11-mujori i vitit 2009 rezultoi i suksesshëm për sektorin e sigurimeve në Shqipëri, duke reflektuar rritje në të ardhurat e shoqërive të sigurimit dhe tregut në tërësi. Të ardhurat nga primet e sigurimit arritën rreth 7.152 milionë lekë, ose 9.43% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në periudhën janar-nentor 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 692,941 duke shënuar një rritje prej rreth 9.78%, krahasuar me  janar-nëntor 2008. Rritja e primeve ka qenë në harmoni me rritjen e numrit të kontratave të sigurimit, çfarë përforcon qëndrueshmërinë e tendencës së zhvillimit. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 90.93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.07%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.31 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.69% të totalit të tregut. Rritja e ndjeshme e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar, ka ndikuar në ndryshimin e strukturës së tregut në favor të sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 3,840 milionë lekë, ose rreth 5.02% më shumë se në të njëjtën periudhë te vitit të kaluar. Rritje të dukshme patën produktet Karton Jeshil dhe  Sigurim Kufitar, përkatësisht me 16.47% dhe 22.70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Ndërsa numri i kontratave pati një ulje prej 1.08% për Kartonin Jeshil dhe një rritje prej rreth  8.10% për Kufitaren, gjithnjë krahasuar me periudhën janar-nëntor 2008.

Produkti TPL e brendshme  me vlerë primesh rreth 2,491 milionë lekë shënoi një ulje  prej rreth 0.90%, ndërsa numri i kontratave po të këtij produkti pësoi një rritje prej 6.98% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Sigurimi Vullnetar

Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që në 11-mujorin e 2009 sollën 46.31% të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën vlerën rreth 3,311 milionë lekë, ose 15.03% më shumë se në  11-mujorin e vitit 2008. Kjo rritje u shoqërua  edhe me 38.87% rritje të numrit të kontratave të sigurimit  vullnetar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo- Jetës gjatë kësaj periudhe patën rritje prej 10.31% kundrejt periudhës janar- nëntor 2008.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,740 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me 37.09 % të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 27.81% dhe më pas vjen  sigurimi i garancive  me 13.40%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' vërehet një rritje prej 8.98 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje prej 11.34 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në janar-nëntor të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë kanë pësuar një  ulje me 34.71% krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2008. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një ulje prej 50.57% në volumin e primeve të shkruara dhe një rritje me 35.19%  në numrin e kontratave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar-nëntor të vitit 2009 arritën në rreth 353 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 24.53 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me 75.51 % të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e Jetës në 11-mujorin e vitit 2009 arritën 649 milionë lekë, ose 39.53% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pjesëmarrja e investitorëve të huaj seriozë me përvojë të gjatë në sigurimet e jetës, po nxit pasurimin me produkte të mirëfillta të jetës dhe shëndetit, të panjohura deri tani në treg.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve u rritën me 10.30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1,343 milionë lekë, apo 86.72% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Miratimi i ligjit të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit në fillim të këtij viti dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pritet të ndikojë në shkurtimin e afateve dhe rritjen në tërësi të cilësisë së dëmshpërblimit kundrejt të dëmtuarve.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për sigurimin Kasko dhe sigurimin MTPL e brendshme, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

                                                                                                                                                                      mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2008 

2009

                                                                                 Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

                      95

108

Karton Jeshil

                    818

652

Kasko

                      88

99


Duke ndjekur në vijimësi ecurinë e tregut Shqiptar të sigurimeve, AMF vlerëson se ky treg nuk ka pasur ndikime të ndjeshme nga situata e tregjeve financiare ndërkombëtare, me të cilën po përballen një pjesë e vendeve Evropiane. Monitorimet dhe analizat e kryera nga AMF tregojnë për një treg të qëndrueshëm dhe me kapacitet për të mirëpritur rritje edhe më të madhe në periudhat në vazhdim.

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor janar-nëntor 2009 përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, sipas pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - nëntor 2009 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - nëntor 2009 (në versionin PDF) klikoni këtu