15 Janar 2010

Njoftim për shtyp i Forumit të Përbashkët, për Shqyrtimin e Natyrës së Diferencuar dhe Objektit të Rregullimit Financiar

Forumi i Përbashkët ka botuar së fundmi raportin për Shqyrtimin e Natyrës së Diferencuar dhe Objektit të Rregullimit Financiar, Çështje dhe Rekomandime Kryesore. Ky shqyrtim është kërkuar nga grupi G20 përmes Këshillit të Qëndrueshmërisë Financiare. Në raport analizohen çështjet kryesore që lindin nga natyra e diferencuar e rregullimit financiar në sektorët ndërkombëtarë të shërbimeve bankare, letrave me vlerë dhe sigurimeve. Në të trajtohen edhe boshllëqet që lindin nga objekti i rregullimit, duke qenë se lidhet me veprimtari të ndryshme financiare, me fokus të veçantë te subjekte dhe aktivitete të caktuara të parregulluara apo pak të rregulluara. Objektivat e shqyrtimit janë identifikimi i fushave të mundshme ku rreziqet e sistemit mund të mos jenë mbuluar tërësisht në kuadrin ekzistues rregullator dhe bërja e rekomandimeve për përmirësimet e nevojshme drejt fuqizimit të rregullimit të sistemit financiar.

Rekomandimet e raportit mbulojnë pesë fusha specifike:

o    Çështje që lindin nga dallimet rregullatore midis tre sektorëve, përfshirë edhe dallimet që lidhen me  
      produktet  financiare;
o    Mbikëqyrja dhe rregullimi i grupeve financiare, me fokus te subjektet e parregulluara brenda këtyre grupeve;
o    Lindja e kredive hipotekare për shtëpi, me fokus te standardet minimale të vlerësimit të pranueshmërisë së
      klientëve, të zbatuar në mënyrë uniforme nga lloje të ndryshme të ofruesve të kredive hipotekare;
o    Fondet e instrumenteve mbrojtëse, sidomos ata që paraqesin rrezik të sistemit; dhe
o    Kalimi i rrezikut të kredisë, me fokus te kontratat e shitblerjeve të kredive dhe sigurimet e dorëzanive
      financiare.

Z. John C Dugan, Kryetar i Forumit të Përbashkët deri në fund të vitit 2009 dhe Kontrollues i Valutës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shprehur se: “Ky studim e përqendron vëmendjen e tij te disa boshllëqe rregullatore të caktuara, të cilat kanë dalë në dritë gjatë krizës. Ka disa rekomandime kyçe në këtë raport të cilat, pasi të vihen në zbatim, do t’i zvogëlojnë këto boshllëqe dhe do ta fuqizojnë sistemin financiar. Uniformiteti në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrja e ngjashme për aktivitete të ngjashme janë parimet kyçe për kontrollin mbikëqyrës, të efektshëm të rreziqeve të sistemit. Ky raport hedh bazat për punë të tjera të rëndësishme shtesë, të cilat do të çojnë në një konvergjencë më të madhe të mbikëqyrjes së aktiviteteve dhe firmave financiare”.

(Material i përpunuar, nxjerrë nga Shoqata Ndërkombëtarëve e Rregullatorëve të Sigurimeve (IAIS), janar 2010)

Për të lexuar materialin e plotë në gjuhën Angleze nga website-i i IAIS, klikoni këtu