11 Prill 2019

AMF pjesëmarrëse në takimet shpjeguese të Komisionit Evropian për Kapitullin e 9-të “Shërbimet Financiare”

Komisioni Evropian, në kuadër të procesit screening, organizoi në Bruksel me datë 9-10 prill Takimin Shpjegues me përfaqësuesit e ministrive dhe institucioneve pjesëmarrëse të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut lidhur me Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u përfaqësua nga drejtues e specialistë të Departamentit Juridik, Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve dhe Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut të Kapitaleve dhe Fondeve.  

Në takim, ekspertët e BE-së prezantuan veprimtarinë e autoriteteve rregullatore evropiane që veprojnë si rregullatorë të tregjeve financiare si European Security and Market Authority, ESMA dhe European Insurance and Occupational Pensions Authority, EIOPA. Gjithashtu ato dhanë shpjegime mbi direktivat që i përkasin Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, të cilat duhet të përafrohen nga institucionet e shtetit shqiptar në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Si autoritet që mbikëqyr tregun e sigurimeve dhe tregun e kapitaleve ndër direktivat kryesore që lidhen me aktivitetin e AMF-së ishin MIFID, UCITS, Solvency II, etj.

Ekspertët e BE-së dhanë shpjegime dhe prezantuan pikat kryesore të kapitullit të shërbimeve financiare, ndërkohë që delegacioni shqiptar bëri pyetje lidhur me hapat e zbatimit të këtyre direktivave përgjatë procesit të anëtarësimit të vendit drejt BE-së.