23 Maj 2019

AMF organizon Konferencën e dytë Kombëtare “Edukimi Financiar”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë më datë 24 maj 2019, Konferencën e dytë Kombëtare “Edukimi Financiar” me fokus kryesor studentët, të cilët përfaqësohen me punime të ndryshme. Kjo do të nxisë diskutimin mbi zhvillimet e sotme më të rëndësishme, sfidat që hasim në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit dhe rëndësinë që edukimi financiar ka për zhvillimin e tyre.

Konferenca organizohet në kuadër të zbatimit të Strategjisë “Për rritjen e besimit të konsumatorit dhe investitorit në tregjet nën mbikëqyrje”. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi do të paraqesë synimet kryesore të Autoritetit në drejtim të edukimit financiar. Pjesëmarrës në konferencë do të jenë edhe përfaqësues të lartë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave, Banka e Shqipërisë, etj.

Në dy sesionet e konferencës do të prezantohen punimet sipas tregjeve duke iniciuar edhe debatin për tendencat e reja të zhvillimit të tregjeve financiare jobankare dhe rolit të mbikëqyrësit në këto tregje. Në përfundim të konferencës, Autoriteti, në bashkëpunim me shoqatat e tregjeve nën mbikëqyrje, do të shpërndajnë çmime për punimet më të mira nga pjesëmarrësit në konferencë.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]