27 Maj 2019

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së raporton në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi prezantoi sot, më 27.05.2019, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin mbi aktivitetin e Autoritetit gjatë vitit 2018. Z. Koçi u ndal në zhvillimet dhe arritjet kryesore të vitit të kaluar, si edhe përmendi disa nga sfidat me të cilat përballet Autoriteti dhe tregjet nën mbikëqyrje.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv përmendi si një nga arritjet më të rëndësishme zgjidhjen e problematikës së mbartur që nga viti 2002 me pagesat e Fondit të Kompensimit. Vitin e kaluar, shoqëritë kanë paguar mbi 1 miliardë lekë për Fondin e Kompensimit, vlerë e cila për herë të parë tregon për pagesa të konsiderueshme të detyrimeve.

Z. Koçi u shpreh se Autoriteti ka vijuar të ketë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e konsumatorit dhe kjo është reflektuar përmes një sërë vendimesh. Një nga vendimet që ka sjellë më shumë ndikim te qytetarët është ndryshimi i Rregullores nr. 53 “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Sipas ndryshimeve të miratuara, nga 1 korriku 2018, qytetarët shqiptarë përfitojnë një rritje të konsiderueshme të dëmshpërblimit në rastet e aksidenteve.  

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se Autoriteti rriti më tej transparencën, përmes publikimeve të reja me karakter financiar dhe edukues, si edhe njoftimeve paralajmëruese për investitorët e konsumatorët. Në lidhje me ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, referuar tregut të sigurimeve, ai përmendi përmirësimin e dy treguesve të rëndësishëm: raporti dëme/prime, i cili për herë të parë arriti shifrën 42%, si edhe rritja me 26% e pagesës së dëmeve në krahasim me 2017 dhe me 47% më shumë në krahasim me vitin 2016.

Z. Koçi u shpreh AMF ka punuar për të përmbushur objektivat e përcaktuara në strategjinë 5-vjeçare dhe njëkohësisht ka plotësuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi. “Ne synojmë që implementimi i kësaj Strategjie, që ka nisur vitin e kaluar, të nxisë zhvillimin e një tregu konkurrent dhe efiçent, duke krijuar njëkohësisht stabilitet afatgjatë, duke i dhënë mundësi krijimit të produkteve inovative, duke rritur besimin dhe mbrojtur konsumatorin me qëllim që nga tregu më i brishtë në rajonin e Ballkanit Perendimor të shkojmë drejt një tregu më të konsoliduar,” theksoi Z. Koçi. 

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv përmendi gjithashtu projektligjet e hartuara nga Autoriteti që janë dërguar në Ministrinë e Financave, si projektligji “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit” dhe dy projektligjet “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” dhe “Për Tregjet e Kapitalit”.

Në fund të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u ndal te bashkëpunimi shumë i mirë i Autoritetit me rregullatorët e vendeve homologe dhe institucionet financiare ndërkombëtare, gjë e cila është reflektuar edhe në vlerësimet e tyre për punën e AMF. Në këtë kuadër, Shqipëria është përzgjedhur për herë të parë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensioneve (IOPS), si vendi organizator i një konference në nivel botëror, e cila do të zhvillohet në Tiranë në 6-8 nëntor të këtij viti.