4 Korrik 2019

Publikohet Raporti i plotë i ekipit të Misionit të Dytë të Monitorimit pas Programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri

Në përmbyllje të misionit të dytë të monitorimit, delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri nënvizon se perspektiva ekonomike është përgjithësisht e favorshme. Raporti thekson se gjatë vitit 2018, rritja ishte e fortë dhe se perspektiva afatmesme ekonomike është përgjithësisht e favorshme, me rritjen e parashikuar për të konverguar në 4% për qind, duke sjellë edhe ngushtim të mëtejshëm të deficitit të llogarisë korente.

Duke folur për sektorin financiar jobankar Raporti vlerëson punën e bërë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për plotësimin e përditësimin e kuadrit ligjor rregullator, ku nënvizon progresin e bërë në tregun e kapitalit, si edhe tregun e fondeve të investimeve. Gjithashtu, cilësohet puna në vijim, gjatë vitit 2019, për hartimin e projektligjit të ri “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”, dhe projektligjit të ri “Për Tregjet e Kapitalit”, duke u bazuar në rregulloret e BE-së dhe duke qartësuar licencimin, mbikëqyrjen, mbrojtjen e investitorit, si dhe integritetin e tregut.

Në raportin e tij, misioni i FMN, theksoi rëndësinë e sigurimit të mbikëqyrjes së fortë dhe të pavarur të sistemi financiar jobankar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), “... i cili është duke përgatitur në mënyrë progresive kuadrin rregullator të nevojshëm.”

Në lidhje me rekomandimin e FMN për vijimin e reformave në adresimin e rekomandimeve të komitetit MoneyVal në aspektin rregullativ për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, AMF informon se ka kryer ndryshimet rregullative të nevojshme për të siguruar përputhshmëri me këto rekomandime.

Raportin e plotë të ekipit të Misionit të Dytë të Monitorimit pas Programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri gjendet në:  
https://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2019/07/03/Albania-Second-Post-Program-Monitoring-Discussions-Press-Release-and-Staff-Report-47082?cid=em-COM-123-39111