9 Korrik 2019

AMF organizon kolegjin e tretë mbikëqyrjes të grupit të sigurimeve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi më 5 korrik në Tiranë “Kolegjin e Tretë të Grupit të Sigurimeve”. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Maqedonisë së Veriut (ISA). Organizimi i këtij kolegji mbikëqyrës bëhet në zbatim të Strategjisë 2018-2022 të AMF-së për zhvillimin e tregjeve si edhe Vendimit të Bordit nr. 250, datë 28.12.2018, për miratimin e Udhëzimit Metodologjik “Mbi mbikëqyrjen e grupit të sigurimit”.

Në takim u prezantua situata financiare dhe zhvillimet më të fundit nga përfaqësues të autoriteteve mbikëqyrëse të tre vendeve: AMF, ISA dhe BQK. Në takim u diskutuan edhe raportet e audituesve të jashtëm për vitin financiar 2018 si dhe zhvillimet e reja në tregjet e sigurimeve të rajonit.

AMF dhe rregullatorët e vendeve të tjera të kolegjit, ISA dhe BQK u shprehën për vazhdimësinë e shkëmbimeve periodike 3 mujore të të dhënave lidhur me treguesit e shoqërive të sigurimit anëtare të Grupeve të Sigurimit. Po ashtu u ra dakord për njoftime reciproke për çdo zhvillim të rëndësishëm, duke përfshirë edhe masat e marra nga Bordet përkatëse në ndihmë të zhvillimit e konsolidimit të tregut të sigurimeve dhe në funksion të një mbikëqyrjeje financiare sa më efektive. Autoritetet, pjesë e kolegjit mbikëqyrës, do të organizojnë edhe inspektime të përbashkëta pranë shoqërive të sigurimit, pjesë të grupit të sigurimit, të rregulluara nën juridiksionin e palës pritëse.
AMF dhe kolegjet mbikëqyrëse të grupeve ndjekin parimet themelore të sigurimeve (ICP) të krijuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS). Synimi i Autoritetit edhe për mbikëqyrjen e grupeve është promovimi dhe nxitja e standardeve të larta për mbrojtjen e konsumatorëve.