23 Korrik 2019

AMF thellon bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve Sllovene

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe Drejtori i Mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve të AMF-së zhvilluan në datë 18 korrik 2019 takime me drejtuesit e Agjencisë së Mbikëqyrjes të Tregut të Sigurimeve të Sllovenisë, (AZN). Takimet u zhvilluan në kuadër të zbatimit të Strategjisë së AMF-së 2018-2022, objektivit të rëndësishëm që AMF ka për konsolidimin e tregut të sigurimeve dhe proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian. Bashkëpunimi midis dy organizmave rregullatorë të Shqipërisë dhe Sllovenisë është institucionalizuar në vitin 2016 edhe me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit.

Z. Ervin Koçi falenderoi për mikpritjen dhe organizimin e takimit homologun Z. Gorazd Cibej, Drejtor i AZN dhe theksoi se shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi janë të rëndësishëm për të ndjekur ecurinë dhe dinamikat e shpejta që shoqërojnë zhvillimet në tregun e sigurimeve. Shqipëria është në prag të marrjes së hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE dhe në këtë drejtim eksperienca e Sllovenisë, e cila e ka kaluar më parë këtë proces, është mjaft e vlefshme.

Në takim të dy drejtuesit e institucioneve bënë një prezantim të detajuar të tregut lokal të sigurimeve dhe vlerësuan mundësinë e mbështetjes teknike dhe shkëmbimit të informacionit për të forcuar rolin mbikëqyrës dhe rregullator në tregun e sigurimeve. AMF synon të përfitojë sa më shumë nga eksperiencat më të mira të Autoritetit Slloven si në drejtim të plotësimit të  kuadrit rregullator dhe përshtatjes së tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian ashtu edhe për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të tregut të sigurimeve. Një drejtim i rëndësishëm ku AMF kërkoi bashkëpunimin e autoritetit slloven AZN ishte edhe zhvillimi i teknologjisë së informacionit, mbrojtja konsumatore dhe rritja e edukimit financiar për të përgatitur tregun shqiptar të sigurimeve për aplikimin e regjimit të Solvency II, sipas standardeve të tregut evropian të sigurimeve.

Z. Koçi pati takim dhe me drejtuesen e Shoqatës Sllovene të Sigurimit Znj. Maja Krumberger ku u shikuan mundësitë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së investimeve sllovene në tregun shqiptar të sigurimeve.

AMF po thellon bashkëpunimin me rregullatorët e tregjeve financiare jobankare në rajon e më gjerë, për t’i paraprirë zhvillimeve të këtyre tregjeve drejt perspektivës së përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.