25 Shtator 2019

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar - gusht

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht kapën vlerën mbi 11,364 milionë lekë, ose 2.33% më shumë se në periudhën janar-gusht 2018. Gjatë periudhës janar – gusht 2019, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 885,298 me një rritje 4.72% krahasuar me periudhën janar- gusht 2018. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.41 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.25% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.34%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 36.86% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 63.14% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar- gusht 2019, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,939 milionë lekë, ose 9.99% më shumë se në periudhën janar- gusht 2018.

Struktura e tregut të sigurimeve, janar- gusht 2019


Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar- gusht 2019 arritën rreth 7,176 milionë lekë, ose 4.75% më shumë se në periudhën janar- gusht 2018.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar- gusht , pati një rritje prej 5.17% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.82% krahasuar me periudhën janar- gusht 2018.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar- gusht pati një rritje prej 7.97% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 28.91% krahasuar me periudhën janar- gusht 2018.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar - qershor, pati një ulje 7.91% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar- gusht 2018. Numri i kontratave gjithashtu u ul me 5.20%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar- gusht 2019 arritën rreth 4,189 milionë lekë, 1.57% më pak se në periudhën janar- gusht 2018. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 0.21% krahasuar me periudhën janar - qershor 2018.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar- gusht 2019, patën ulje me 4.12% kundrejt periudhës janar- gusht 2018.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar- gusht 2019 siguruan mbi 1,593 milionë lekë të ardhura në total. Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 72.41%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 16.74% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar- gusht 2019, vihet re një ulje prej 30.03% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 5.77% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar- gusht 2018.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar- gusht 2019, arritën në rreth 874 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 4.31% në krahasim me periudhën janar- gusht 2018.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar - qershor 2019, arritën rreth 824 milionë lekë, ose 10.91% më shumë se në periudhën janar - qershor 2018.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar- gusht 2019 u rriten me 9.99% krahasuar me periudhën janar- gusht 2018. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,241 milionë lekë, apo 56.90 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.


Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Lloji i sigurimit Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
janar -  gusht 2018 2019 19/18-1
 Dëmi mesatar
MTPL e brendshme               209           206 (1.39)
Karton Jeshil               530           574 8.30
Kasko               116            96 (17.12)


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor  për periudhën janar - gusht 2019, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.




 
 
[1]Tek dëmet e paguara janë perfshirë dhe Demet nga Fondi i kompesimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit