5 Nentor 2019

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mikpret në Tiranë Forumin Global të Pensioneve Private dhe Mbledhjen Vjetore të IOPS

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) do të jetë mikpritësi i Forumit Global për Pensionet Private “Zhvillimi dhe mbikëqyrja e marrëveshjeve për fondet e pensioneve” që do të zhvillohet në Tiranë në datat 7-8 nëntor 2019. Forumi do të organizohet në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve, (International Organisation of Pensions Supervisors, IOPS) dhe Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (Organisation for Economic Co-operation and Development, OECD).

Pjesëmarrës në Forum do të jenë përfaqësues nga autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse, ekspertë të nivelit të lartë nga industria e fondeve private të pensionit nga vendet anëtare të të dyja organizatave OECD dhe IOPS.

Në seancën e hapjes do të përshëndesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i IOPS Z. Andre Laboul. 

Tematikat kryesore të përcaktuara në axhendën e forumit lidhen me:

  • Reformat e pensioneve në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore gjatë 20 viteve të fundit;
  • Zhvillimet e qëndrueshme për fondet e pensioneve: çështje të politikave rregullatore dhe mbikëqyrëse;
  • Hartim i mirë i planeve të pensioneve me kontribut të përcaktuar: Udhëzuesi i OECD
  • Mënyra për të ndërtuar dhe mbikëqyrur marrëveshjet e pensioneve të mbështetura nga punëdhënësi
  • Fondet e pensioneve dhe ndërthurja me tregun e kapitaleve.

Krahas Forumit do të zhvillohet edhe Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e IOPS.