27 Janar 2020

AMF fillon anketimin për njohuritë financiare të publikut për tregjet financiare jobankare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka filluar një anketim të gjerë të popullsisë në vend për njohuritë mbi tregjet financiare jobankare dhe menaxhimin e financave personale. Anketimi do të shërbejë si bazë për përditësimin e strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit dhe investitorit për tregjet nën mbikëqyrje dhe për përmbushjen e objektivit të AMF-së për mbrojtjen dhe edukimin financiar të publikut. Anketimi po zhvillohet në disa qytete të vendit duke përfshirë punonjës si të sektorit publik edhe privat, nga disa degë si në prodhim, shërbime, edukim, etj.

Anketimi synon të masë mundësinë për rritjen dhe zgjerimin e tregut të sigurimeve, të fondeve të pensioneve private, vullnetare dhe të fondeve të investimeve. Për tregun e sigurimeve, ndër pyetjet e ndryshme, do të merren ide edhe për shtrirjen dhe zgjerimin e produkteve të sigurimeve në vend, duke qenë se Shqipëria renditet ndër vendet me vlerën e sigurimeve më të vogël për frymë të popullsisë në vend. Shtrirja e sigurimeve dhe depërtimi i produkteve të ndryshme të sigurimeve vullnetare është një tjetër e dhënë që synon të nxjerrë pyetësori. Për tregun e fondeve të investimeve dhe atë të pensioneve private, pyetësori do të marrë informacion mbi mundësinë e zgjerimit të pjesëmarrjes në këto tregje, dhe faktorët që ndikojnë mbi këtë zgjerim. Anketimi do të vlerësojë edhe mendësinë e grupeve të ndryshme të popullsisë për alternativat e investimit në këto fonde.

Anketimi është ndërtuar dhe informacioni do të përpunohet nga grupi i studentëve të ekselencës që janë duke punuar pranë Autoritetit për të çuar më tej projektin e rritjes së edukimit financiar në vend. Të dhënat e anketimit do ti shërbejnë AMF-së për të përditësuar Strategjinë e saj të Zhvillimit si edhe për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Edukimin Financiar.

Të dhënat e marra nga pyetësori do të mbeten plotësisht anonime. AMF kërkon bashkëpunimin tuaj për të plotësuar online pyetësorin në linkun më poshtë.

https://qtrial2019q4az1.az1.qualtrics.com/jfe/form/SV_24f4UeNqlgQmQpT