30 Janar 2020

AMF përfshihet në “Programin Kombëtar të Praktikave të Punës”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përfshihet në “Programin Kombëtar të Praktikave të Punës”, në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në funksion të aftësimit të studentëve dhe përgatitjes së tyre për tregun e punës.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit, Z. Ervin Koçi zhvilloi më 29 janar një takim me Zv/ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Lorena Haxhiu për të diskutuar rreth programit dhe nismave të ndërmarra nga Autoriteti për këtë qëllim. Z. Koçi e informoi Zv/ministren Haxhiu në lidhje me rolin aktiv që Autoriteti ka luajtur vitet e fundit në funksion të rritjes së edukimit financiar të qytetarëve për tregjet financiare jobankare, me fokus të posaçëm studentët dhe përgatitjen e tyre nëpërmjet praktikave të punës.

Kjo është realizuar me prezencën e stafit të Autoritetit në universitete të ndryshme, publike ose private, duke prezantuar institucionin, tregjet nën mbikëqyrje, anketimeve me studentët për të matur njohuritë e tyre financiare, si edhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me universitetet. Studentët, sidomos ata të fakulteteve të ekonomisë dhe drejtësisë janë target i informimit, komunikimit dhe edukimit, si pjesë e strategjisë së Autoritetit miratuar për këtë qëllim.

Për herë të parë, në vitin 2019 Autoriteti u dha më shumë mundësi të rinjve për zhvillimin e praktikave të punës, duke mirëpritur pranë institucionit një numër prej 50 studentësh dhe pranë subjekteve nën mbikëqyrje koordinoi praktikat për rreth 100 studentë.
Autoriteti synon që edhe përgjatë vitit 2020 të mirëpresë një numër të njëjtë studentësh për praktikat e punës, në komunikim të ngushtë me universitetet për një përshtatje sa më të mirë të profileve të tyre mësimore.
  
Kjo iniciativë do të vijojë të jetë kontributi që AMF në bashkëpunim me subjektet nën mbikëqyrje jep për edukimin financiar të brezit të ri dhe aftësimin e tyre për tregun e punës, këtë vit për herë të parë edhe në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Të gjithë studentët e interesuar për “Programin Kombëtar të Praktikave të Punës”, duhet të aplikojnë në faqen zyrtare të dedikuar, praktika.arsimi.gov.al, në të cilën do të shpallet njoftimi për hapjen e thirjes së pestë, në datën 7 shkurt 2020.