4 Mars 2020

AMF do të organizojë Konferencën e tretë Kombëtare “Edukimi Financiar”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë në datën 21 maj 2020 Konferencën e tretë Kombëtare “Edukimi Financiar”. Në konferencë ftohen të marrin pjesë studentë dhe pedagogë nga universitete të ndryshme të vendit për të prezantuar punimet e tyre më të mira për tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Për pjesëmarrje në konferencë duhet të dorëzohet një abstrakt i punimit dhe më pas punimi i plotë. Abstrakti dhe punimet do të përzgjidhen dhe vlerësohen nga një komision i cili ka përfaqësues nga AMF dhe shoqatat që veprojnë në tregjet financiare jobankare nën mbikëqyrjen e AMF-së.

Abstraktet për punimin që do të prezantohen në konferencë duhet të dërgohen në adresën [email protected] deri në datën 30 mars 2020. Komisioni do të vlerësojë punimet dhe të komunikojë për abstraktet e përzgjedhura. Pjesëmarrja në konferencë është e lirë dhe nuk ka tarifë regjistrimi.

Konferenca synon të nxisë më tej informacionin dhe diskutimet për zhvillimin e tregut të sigurimeve, tregut të kapitaleve dhe tregut të pensioneve private vullnetare duke ndikuar në zhvillimin e tyre. Kjo konferencë zhvillohet në kuadër të Strategjisë “Për rritjen e besimit të konsumatorit dhe investitorit në tregjet nën mbikëqyrje”, si pjesë e punës së Autoritetit për rritjen e edukimit financiar.
Në linkun e mëposhtëm gjeni datat e rëndësishme, tematikat e konferencës dhe informacione të tjera të plotësuese të aplikimit për pjesëmarrjen në konferencë.

Konferenca e III  të  Kombëtare “Edukimi Financiar 2020”