10 Prill 2020

AMF kontribuon në fondin anti COVID-19

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia globale e COVID-19, ka marrë sot, më 10 prill 2020, disa vendime. Autoriteti po vijon të monitorojë zhvillimet në tregjet nën mbikëqyrje, me qëllim garantimin e stabilitetit financiar dhe marrjen e masave të nevojshme në mbrojtje të personave të siguruar dhe investitorëve. Në këtë kuadër, Bordi miratoi:
 
- Vendimin “Për kontributin në fondin anti COVID-19, të një pjese të shpërblimit/pagave të drejtuesve të AMF-së”

Ky vendim miraton uljen me 50% të shpërblimit mujor për Kryetarin dhe anëtarët e Bordit të Autoritetit dhe pagave mujore të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekuti dhe Nëndrejtorit Ekzekutiv për një periudhë 3-mujore.

- Vendimin “Për pezullimin e shpërndarjes së dividendëve nga shoqëritë e sigurimit”

Kjo masë e Bordit të Autoritetit është në linjë me rekomandimet e Autoritetit Europian të Sigurimeve (EIOPA) dhe në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të mbështetjes për tregun e sigurimeve. Pezullimi i shpërndarjes së dividendëve dhe ndjekja e një politike më të kujdesshme në lidhje me shpërblimet e stafit, duke i shtyrë ato në kohë rrit aftësinë e shoqërive të sigurimit për të amortizuar pasojat e shkaktuara nga situata e COVID-19.

Bordi i Autoritetit mori informacion për normat e likuiditetit të shoqërive të sigurimit dhe për raportimin e statistikave të shitjeve në tregun e sigurimeve, ndikuar nga situata e pandemisë së virusit COVID-19.