21 Maj 2020

Miratohet projektligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”

Kuvendi miratoi sot, më 21 maj 2020, në seancë plenare projektligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Projektligji synon të rregullojë infrastrukturën mbi bazën e së cilës funksionon teknologjia e regjistrave të shpërndarë “Distributed Ledger Technology” (DLT).

Projektligji rregullon kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve dhe bursave si edhe mbikëqyrjen e tyre. Ai gjithashtu rregullon kushtet për emetimin dhe tregtimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale dhe autorizimin nga autoritetet kompetente.

Nëpërmjet vënies nën mbikëqyrje të teknologjisë së re, projektligji synon:

- Shfrytëzimin e potencialit të Fintech dhe të teknologjisë DLT;
- Uljen potenciale të kostove të sistemit të pagesave;
- Nxitjen e financimeve për ekonominë vendase nëpërmjet burimeve alternative të financimit;
- Tërheqjen e investitorëve të huaj;
- Krijimin e përfitimeve ekonomike për vendin.

Pas miratimit dhe botimit në fletoren zyrtare, ligji hyn në fuqi më 1 shtator 2020.