29 Maj 2020

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së zhvillon një takim online me Drejtuesen e re të Misionit të FMN-së për Shqipërinë

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete, zhvilloi një takim me Drejtuesen e re të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Znj. Yan Sun, përmes platformës virtuale të komunikimit Webex.

Në takim u diskutua në lidhje me zhvillimet më të fundit në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit dhe impaktin e pandemisë COVID-19. Z. Mete u shpreh se tregu i sigurimeve rezultoi më i ekspozuari nga efektet e koronavirusit, edhe pse pritet që rihapja të sjellë normalizimin e treguesve financiarë për shoqëritë e sigurimit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se miratimi së fundmi i tre ligjeve të reja nga Kuvendi i Shqipërisë, “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, “Për tregjet e kapitalit” dhe “Për tregjet financiare bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” pritet të modernizojë funksionimin e këtyre tregjeve dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.  

Z. Mete e cilësoi dixhitalizimin si një sfidë kryesore të Autoritetit në kushtet e reja të krijuara si pasojë e COVID-19, për të siguruar raportimin në kohë reale të të dhënave për të gjitha subjektet nën mbikëqyrje, por edhe në funksion të komunikimit ndërinstitucional dhe lehtësimit të procedurave për qytetarët.

Drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Znj. Yan Sun vlerësoi rolin e AMF në mbikëqyrjen e tregjeve financiare jobankare, si edhe shprehu gadishmërinë për të vijuar asistencën për Autoritetin, përmes ekspertizës, edhe në kuadër të ligjieve të reja të miratuara së fundmi.