1 Qershor 2020

Kryetarja e Komisionit për Ekonominë dhe Financat Znj. Milva Ekonomi prezanton në Autoritet, Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv Z. Ervin Mete

Kryetarja e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë Znj. Milva Ekonomi prezantoi sot në Autoritet, Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv Z. Ervin Mete, në një takim ku morën pjesë edhe drejtuesit e departamenteve dhe drejtorive në AMF.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv paraqiti vizionin dhe objektivat kryesore të mandatit të tij në drejtim të Autoritetit. Në fjalën e mbajtur, Z. Ervin Mete e falënderoi Znj. Milva Ekonomi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, edhe në kuadër të ligjeve të reja të miratuara së fundmi për tregjet nën mbikëqyrje.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se në përgjithësi tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së i rezistuan efekteve të pandemisë, por e gjithë situata solli nevojën e disa ndryshimeve nga ana e Autoritetit.   

Në kuadrin afatshkurtër dhe afatmesëm nevojitet që vetë institucioni të ketë një strategji për menaxhimin e krizave, ashtu siç edhe subjektet nën mbikëqyrje duhet të disponojnë planet e nevojshme për vazhdimësinë e biznesit edhe përgjatë situatave të jashtëzakonshme, si ajo e shkaktuar nga pandemia COVID-19, - theksoi Z. Mete. Dixhitalizimi, sipas tij, mbetet fokusi kryesor, si në aspektin e raportimit në kohë reale nga ana e subjekteve nën mbikëqyrje, ashtu edhe në komunikimin ndërinstitucional. 
 
Znj. Ekonomi e uroi Z. Mete për detyrën dhe theksoi se Autoriteti ka përpara një volum të madh pune, edhe në kuadër të hartimit të akteve nënligjore dhe rregulloreve për ligjet e reja të miratuara së fundmi nga Kuvendi. Znj. Ekonomi shprehu gadishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë mes Komisionit dhe Autoritetit në kuadër të ndryshimeve të reja ligjore dhe monitorimit të punës së institucionit.