5 Qershor 2020

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, Z. Ervin Mete takon Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete zhvilloi sot një takim pune me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko. Biseda u përqendrua kryesisht në situatën në tregjet financiare nën mbikëqyrje dhe efektet e pandemisë COVID-19 në subjektet e mbikëqyrura.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së biseduan mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të rritjes dhe forcimit të sistemit financiar, si edhe garantimit të një mbikëqyrjeje të konsoliduar të tregjeve financiare.

Gjatë takimit u diskutua mbi shkëmbime të ndërsjellta në kuadër të Grupit Kombëtar të Stabilitetit Financiar dhe krijimin e komiteteve të përbashkëta në kuadër të zhvillimit të tregjeve, trajtimin e krizave dhe situatave të jashtëzakonshme dhe bashkëpunimin në funksion të luftës kundër pastrimit të parave.  

Gjithashtu në takim u ra dakord për finalizimin e Marrëveshjes së Mbikëqyrjes së Konsoliduar mes Bankës së Shqipërisë dhe AMF.