11 Qershor 2020

Banka Botërore mbështet AMF me projektin e ri për mbikëqyrjen e tregut të kapitaleve dhe sigurimeve

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete zhvilloi sot një takim online përmes platformës Webex me Menaxheren e Bankës Botërore për Shqipërinë, znj. Maryam Salim. 

Diskutimet u përqendruan në projektin e ri të asistencës të Bankës Botërore për tregjet e kapitalit dhe tregun e sigurimeve. Projekti parashikon një fond me vlerë 1.59 milionë dollarë, me donator Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv e falënderoi Menaxheren e Bankës Botërore për Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të Autoritetit. Nga ana e saj, znj. Maryam Salim shprehu gadishmërinë për të vijuar asistencën ndaj AMF në funksion të mirërregullimit të tregjeve dhe rritjes së kapaciteteve mbikëqyrëse.

Në mars 2019, Autoriteti përmbylli një projekt të rëndësishëm asistence nga Banka Botërore, i cili solli si produkt edhe hartimin e dy ligjeve “ Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” dhe “Për Tregjet e Kapitaleve”. 

Projekti i ri i Bankës Botërore “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF” mbulon dy tregje të mbikëqyrura nga Autoriteti, tregun e kapitaleve dhe tregun e sigurimeve.

Në lidhje me tregun e kapitaleve, projekti do të shërbejë për përgatitjen e rregulloreve dhe udhëzimeve përkatëse për dy ligjet e miratuara së fundmi në Kuvend, për fuqizimin e mbikëqyrjes me bazë rreziku, për zhvillimin e kapaciteteve mbikëqyrëse, si dhe zhvillimin e tregut përmes rritjes së edukimit financiar.     

Ndërsa për tregun e sigurimeve, projekti synon mbështetjen e AMF për realizimin e mbikëqyrjes me bazë rreziku dhe përgatitjen për kuadrin evropian të Solvency II,  si edhe rritjen e besimit të konsumatorit në sigurime, duke përdorur transparencën dhe llogaridhënien e shoqërive të sigurimit.