20 Korrik 2020

Lançohet platforma e publikimit të të dhënave ditore të kuotave të fondeve të investimeve dhe pensioneve private vullnetare

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete mori pjesë në lançimin e platformës së publikimit të të dhënave ditore të kuotave të investimeve dhe pensioneve private vullnetare.

Në fjalën e tij, Z. Mete vuri në dukje se nisma të tilla shtojnë transparencën dhe informimin, që janë thelbësore për natyrën e tregjeve të kapitalit, por edhe fokus kryesor i punës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.  

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se infrastruktura e Bursës është tashmë e kompletuar nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, përmes licencimit të “Regjistrit Shqiptar të Titujve” për klerimin dhe shlyerjen e titujve korporativë.  

Z. Mete theksoi se Autoriteti është në diskutim me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë për hartimin e një Dokumenti Strategjik për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.

Ligjet e reja “Për tregjet e kapitalit” dhe “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” modernizojnë dhe përmirësojnë ndjeshëm kuadrin ligjor, duke iu përshtatur direktivave të Bashkimit Evropian dhe dinamikës së zhvillimit të këtyre tregjeve. Dy ligjet kanë për synim nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm përmes ofrimit të fondeve alternative të investimit, rritjen e transparencës dhe sigurimin e integritetit të tregjeve. Autoriteti është në proces të hartimit të mbi 50 rregulloreve, në plotësim të bazës ligjore të këtyre ligjeve.