31 Korrik 2020

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2020

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar–qershor 2020 kapën vlerën mbi 7,544 milionë lekë, ose 6.66% më pak se në periudhën janar–qershor 2019. Gjatë periudhës janar–qershor 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 434,968 me një ulje prej 26.45% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.49% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.49%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.62% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.38% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar–qershor 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,081 milionë lekë, ose 46.75% më shumë se në periudhën janar–qershor 2019.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar–qershor 2020 arritën rreth 4,555 milionë lekë, ose 6.73% më pak se në periudhën janar–qershor 2019.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor, pati një ulje prej 0.07% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 1.57% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-qershor pati një ulje prej 36.22% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 49.45% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-qershor, pati një ulje 36.15% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar–qershor 2019. Edhe numri i kontratave u ul me 48.22%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar–qershor 2020 arritën rreth 2,989 milionë lekë, 6.54% më pak se në periudhën janar–qershor 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 40.15% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar–qershor 2020, patën ulje me 2% kundrejt periudhës janar–qershor 2019.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar–qershor 2020 siguruan mbi 1,491 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.32%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 27.26% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar–qershor 2020, vihet re një rritje prej 32.28% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.77% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-qershor 2020, arritën në rreth 577 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 15.99% në krahasim me periudhën janar–qershor 2019.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar–qershor 2020, arritën rreth 490 milionë lekë, ose 19.76% më pak se në periudhën janar–qershor  2019.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto

Pagesa e dëmeve gjatë periudhës janar–qershor 2020 u rrit me 46.75% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 2,059 milionë lekë, apo 50.45 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
 

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
Janar - qershor 2019 2020 20/`19-1
 Dëmi mesatar
MTPL e brendshme 207 173 (16.18)
Karton Jeshil 557 517 (7.28)
Kasko 99 106 7.00

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar–qershor 2020 , përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar–qershor 2020, ju lutemi klikoni këtu.





 
 
[1]Tek dëmet e paguara janë perfshirë dhe Demet nga Fondi i kompesimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit