Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-korrik 2020
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-korrik 2020 kapën vlerën mbi 9,220 milionë lekë, ose 5.83% më pak se në periudhën janar-korrik 2019. Gjatë periudhës janar-korrik 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 524,347 me një ulje prej 27.82% krahasuar me periudhën janar-korrik 2019. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.67 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.32%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.98% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.02% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-korrik 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,564 milionë lekë, ose 38.21% më shumë se në periudhën janar-korrik 2019.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-korrik 2020 arritën rreth 5,626 milionë lekë, ose 6.11% më pak se në periudhën janar-korrik 2019.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-korrik, pati një rritje prej 1.68% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 3.29% krahasuar me periudhën janar-korrik 2019.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-korrik pati një ulje prej 38.19% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 53.89% krahasuar me periudhën janar-korrik 2019.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-korrik, pati një ulje 42.41% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-korrik 2019. Edhe numri i kontratave u ul me 51.88%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-korrik 2020 arritën rreth 3,594 milionë lekë, 5.37% më pak se në periudhën janar-korrik 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 42.36% krahasuar me periudhën janar-korrik 2019.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2020, patën ulje me 0.9% kundrejt periudhës janar-korrik 2019.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-korrik 2020 siguruan mbi 1,754 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 61.25%, të pasuara nga Sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 30.15% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-korrik 2020, vihet re një rritje prej 17.77% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 1.11% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-korrik 2019.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-korrik 2020, arritën në rreth 704 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 12.57% në krahasim me periudhën janar-korrik 2019.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2020, arritën rreth 582 milionë lekë, ose 19.27% më pak se në periudhën janar-korrik 2019.
*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-korrik 2020 u rrit me 38.21% krahasuar me periudhën janar-korrik 2019. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 2,204 milionë lekë, apo 48.29 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
| Emërtimi | Vlerat (në 000 lekë) | Ndryshimi | |
| (në %) | |||
| Janar-korrik | 2019 | 2020 | 20/`19-1 |
| Dëmi mesatar | |||
| MTPL e brendshme | 212 | 176 | (16.97) |
| Karton Jeshil | 530 | 513 | (3.34) |
| Kasko | 97 | 106 | 9.17 |
Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-korrik 2020, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.
Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-korrik 2020, ju lutemi klikoni këtu.
Shqip
English