14 Shtator 2020

Nis puna për hartimin e “Strategjisë për zhvillimin e tregut të kapitaleve”

Nis punën grupi i përbashkët “Për hartimin e strategjisë për zhvillimin e tregut të kapitaleve”, me pjesëmarrjen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Grupi i punës do të analizojë situatën aktuale të tregut të kapitaleve dhe do të hartojë një dokument strategjik 5-vjeçar, shoqëruar me një plan konkret veprimi, për përmbushjen e hapave të nevojshme për zhvillimin e tregut të kapitaleve.

Në funksion të përgatitjes së dokumentit strategjik, grupi i punës do të analizojë gjithashtu infrastrukturën ekzistuese të tregut të kapitaleve dhe kapacitetet e saj për të përballuar dinamikën e zhvillimit të këtij tregu.

Në planin e veprimit do të përcaktohen hapat për listimin në Bursë të shoqërive me kapital shtetëror. Ky plan veprimi parashikohet të hartohet brenda datës 30 nëntor 2020.

Pjesë e diskutimeve për hartimin e dokumentit strategjik do të jenë edhe përfaqësues nga subjektet e tregut të kapitalit, si edhe nga institucione, shoqata apo shoqëri të tjera private, që mund të japin kontribut në zhvillimin e këtij tregu.