25 Shtator 2020

Takim online mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së dhe Drejtueses së Misionit të FMN-së për Shqipërinë

Impakti i pandemisë COVID-19 në tregjet nën mbikëqyrje dhe masat e marra nga Autoriteti ishin në qendër të takimit virtual mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së, z. Ervin Mete dhe Drejtueses së Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, znj. Yan Sun.

Z. Mete u shpreh se në përgjithësi tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit i rezistuan efekteve të pandemisë, megjithatë AMF po ushtron një monitorim të kujdesshëm për shkak të pasojave vazhduese.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv e njohu Drejtuesen e Misionit të FMN-së për Shqipërinë me masat konkrete të Autoritetit në funksion të garantimit të qëndrueshmërisë së tregjeve dhe përshtatjes së planeve të vazhdimësisë së biznesit. Gjithashtu, Z. Mete e informoi Znj. Yan Sun në lidhje me procesin e trajtimit dhe pagesave të dëmeve të tërmeteve të vitit të kaluar nga shoqëritë e sigurimit.    

Duke pasqyruar ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, Z. Mete deklaroi se tregu i sigurimeve ka pasur një trend pozitiv rikuperimi. Tregu i fondeve të investimeve dhe pensioneve private vullnetare paraqitet i qëndrueshëm.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet makroekonomike në vend dhe ndikimet e mundshme në tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Në terma më të gjerë, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së dhe Drejtuesja e Misionit të FMN-së biseduan për masat e mundshme të menaxhimit të rrezikut nga ngjarjet e jashtëzakonshme dhe situatat e krizave.  
 
Nga ana e saj, znj. Yan Sun vlerësoi rolin mbikëqyrës të Autoritetit në këtë periudhë të vështirë për tregjet financiare, si edhe shprehu gadishmërinë për të asistuar në vijimësi Autoritetin përmes ekspertizës teknike ndërkombëtare.