28 Shtator 2020

Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-gusht 2020

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht 2020 kapën vlerën mbi 10,625 milionë lekë, ose 6.48% më pak se në periudhën janar-gusht 2019. Gjatë periudhës janar-gusht 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 609,601 me një ulje prej 30.58% krahasuar me periudhën janar-gusht 2019. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.43% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.56%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.79% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.21% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-gusht 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,981 milionë lekë, ose 31.03% më shumë se në periudhën janar-gusht 2019.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-gusht 2020 arritën rreth 6,610 milionë lekë, ose 7.89% më pak se në periudhën janar-gusht 2019.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-gusht, pati një rritje prej 2.51% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 4.11% krahasuar me periudhën janar-gusht 2019.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-gusht pati një ulje prej 40.75% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 57.25% krahasuar me periudhën janar-gusht 2019.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-korrik, pati një ulje 62.10% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-gusht 2019. Edhe numri i kontratave u ul me 68.90%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-gusht 2020 arritën rreth 4,016 milionë lekë, 4.05% më pak se në periudhën janar-gusht 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 43.57% krahasuar me periudhën janar-gusht 2019.
Primet e sigurimit vullnetar Jo-Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2020, patën ulje me 0.23% kundrejt periudhës janar-gusht 2019.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-gusht 2020 siguruan mbi 1,932 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 61.87%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 29.59% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-gusht 2020, vihet re një rritje prej 11.66% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 1.42% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-gusht 2019.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-gusht 2020, arritën në rreth 765 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 12.48% në krahasim me periudhën janar-gusht 2019.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2020, arritën rreth 697 milionë lekë, ose 15.11% më pak se në periudhën janar-gusht 2019.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-gusht 2020 u rrit me 31.03% krahasuar me periudhën janar-gusht 2019. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 2,315 milionë lekë, apo 46.48% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
Janar-Gusht 2019 2020 20/`19-1
Dëmi mesatar
MTPL e brendshme 206 178 (13.76)
Karton Jeshil 574 524 (8.72)
Kasko 96 104 9.06

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-gusht 2020, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-gusht 2020, ju lutemi klikoni këtu.





 
 
[1]Tek dëmet e paguara janë përfshirë dhe Dëmet nga Fondi i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit