Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së zhvillon takim online me drejtuesit e shoqërive të sigurimit
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete, zhvilloi sot, datë 24.12.2020, një takim online me drejtuesit e shoqërive të sigurimit. Në takim u diskutua mbi ecurinë e tregut të sigurimeve, treguesit kryesorë financiarë, si edhe ndikimet që pati pandemia e COVID-19.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se edhe pse tregu i sigurimeve rezultoi më i prekuri nga tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, në tërësi ai paraqitet i qëndrueshëm në terma të treguesve kryesorë të shëndetit financiar, i mirëprovigjonuar, si edhe me norma likuiditeti të mjaftueshme.
Përgjatë këtij viti janë shlyer pjesa më e madhe e dëmeve të tërmeteve të vitit të kaluar (deri në fund të nëntorit, janë paguar 92.5% e kërkesave për dëmshpërblim). Në tërësi, për periudhën janar-nëntor 2020 dëmet e paguara nga shoqëritë e Jo-Jetës u rritën me 31.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku ndikim patën dëmet nga sigurimi i pronës.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv kërkoi nga shoqëritë e sigurimit që të qartësojnë kushtet e kontratave në lidhje me mbulimin ose jo nga pandemia, si edhe apeloi për një vëmendje të shtuar sa i përket komunikimit dhe transparencës me policëmbajtësit në veçanti për produktet e sigurimit të Jetës dhe shëndetit që lidhen me pandeminë.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi pritshmëritë për vitin e ardhshëm dhe masat e nevojshme në kushtet e pandemisë vazhduese, për të garantuar qëndrueshmërinë e tregut të sigurimeve, shëndetshmërinë e treguesve financiarë dhe mbrojtjen e personave të siguruar.
Shqip
English