24 Mars 2021

AMF bashkëpunon me FMA për kolegjet e mbikëqyrjes së grupeve të sigurimit

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mori pjesë në mbledhjet virtuale të Kolegjeve të Mbikëqyrjes për grupet austriake të sigurimeve që operojnë edhe në vendin tonë, organizuar nga Autoriteti Austriak i Tregut Financiar (FMA).
 
Takimi u përqendrua kryesisht te ndikimet që solli situata e pandemisë COVID-19 përgjatë vitit 2020 në tregun e sigurimeve, ndryshimet në modelet e biznesit dhe ridimensionimin e planeve të vijimësisë së veprimtarisë, si edhe ecurinë e treguesve financiarë të grupeve austriake të sigurimeve.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMA paraqitën gjetjet kryesore të inspektimeve dhe analizave të zhvilluara gjatë vitit 2020 për grupet austriake të sigurimeve, si edhe pritshmëritë për vitin 2021. Në një sesion të veçantë të zhvilluar me autoritetet e vendeve të rajonit, AMF paraqiti ecurinë e treguesve kryesorë të zhvillimit të biznesit të grupeve austriake të sigurimeve që operojnë në Shqipëri.

Autoriteti në vazhdimësi bashkëpunon dhe shkëmben informacione me Autoritetin Austriak të Tregut Financiar (FMA) me qëllim mbikëqyrjen efektive të grupeve të sigurimit që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun shqiptar si pjesë e grupeve ndërkombëtare të sigurimeve, bazuar edhe në parimet themelore të sigurimit (ICP).