29 Mars 2021

Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-shkurt 2021

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shkurt 2021 kapën vlerën mbi 2,824 milionë lekë, ose 6.31% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2020. Gjatë periudhës janar-shkurt 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 140,013 me një ulje prej 27.01% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2020.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.63% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.37%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.89% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.11% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-shkurt 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,396 milionë lekë, ose 20.16% më pak se në periudhën janar-shkurt 2020.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-shkurt 2021 arritën rreth 1,585 milionë lekë, ose 3.60% më pak se në periudhën janar-shkurt 2020.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-shkurt, pati një rritje prej 1.40% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 3.55% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2020.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-shkurt pati një ulje prej 31.65% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 47.94% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2020.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-shkurt pati një rritje 14.36% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-shkurt 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 7.39%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shkurt 2021 arritën rreth 1,239 milionë lekë, 22.39% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 47.76% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2020.

Primet e sigurimit vullnetar Jo-Jetës gjatë periudhës janar-shkurt 2021, patën rritje me 25.70% kundrejt periudhës janar-shkurt 2020.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-shkurt 2021 siguruan mbi 720 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 72.91%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 17.26% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-shkurt 2021, vihet re një rritje prej 106.44% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.94% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-shkurt 2020.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-shkurt 2021, arritën në rreth 166 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 14.32% në krahasim me periudhën janar-shkurt 2020.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-shkurt 2021, arritën rreth 180 milionë lekë, ose 5.99% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2020.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-shkurt 2021 u ulën me 20.16% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 620 milionë lekë, apo 44.41% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
Janar-Shkurt 2020 2021 21/`20-1
 Dëmi mesatar
MTPL e brendshme 142  187 31.74
Karton Jeshil 563 1,041 84.91
Kasko 98  119 21.19

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-shkurt 2021, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-shkurt 2021, ju lutemi klikoni këtu.
 
 
[1]Tek dëmet e paguara janë përfshirë dhe Dëmet nga Fondi i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.